Nga Gazetajava.com
PERENDIMI I EGOVE
Nga Fatmir Haxholli
Sep 26, 2007, 12:50
Një teori e njohur me emrin 'Game Theory', në njërin nga variacionet e saj thotë se - njeriu është aktor racional. Në fakt, racionaliteti është 'shpirti' i matematikës nga ku buron edhe kjo gjetje.
Liderët partiakë të Kosovës si Rugova dikur, e sot Thaçi, Sejdiu, Surroi, më pak Haradinaj, krejt veprimin e tyre politik e ndërtonin mbi karizmë, ego e liderizëm, dhe s’kishin asgjë të ngjashme me racionalitetin e matematikën, me kombinatorikën. Krejt çka kishin ishte – vaniteti. Egoja që mbufatej dhe kapërthente krejt partinë së cilës i prinin.
Vlimet parazgjedhore në skenën politike, koalicionet e shumta po parazgjedhore, hapja ndaj shoqërisë civile e disa partive, na indikojnë se emrues i përbashkët i këtyre liderëve dhe partive sot, e që nuk ishte dikur, është huazimi i strategjive matematike dhe ekonomike në politikë. Krejt kjo me ambicien dhe shpresën se kjo ndërmendje, ky racionalitet e matematikë e imponuar e tyre do t’i katapultojë në pushtet. Me një fjalë, liderët egomanë të skenës politike kosovare si Thaçi, Surroi…përnjëherë na u bënë e na u shndërruan në ‘gejmera’ (lojatarë/aktorë). Ithtarë të “Game Theory”. Të asaj teorie që n’vesh/ndryshe e quajnë edhe teori e prostitucionit politik.
Me një fjalë, liderët aktual kosovarë do të bëjnë gjithëçka, e më e rënda për ta, edhe do heqin dorë nga egoja e vaniteti, vetëm e vetëm për ta futur së paku njëren këmbë dhe krah në qeverinë që do të dalë nga këto zgjedhje.
Nëse kishte diçka të mirë në lajmin e koalicioneve dhe hapjeve parazgjedhore ndaj shoqërisë civile, është kjo – perendimi i egove.
Koalicionet janë lajm i mirë për votuesit, por edhe shenjë e humbjes së terenit për partitë
Le të ndalemi shkurt tek koalicionet parazgjedhore. Këto koalicione janë tregues final i fenomenit se partitë politike kanë humbur teren, ashtu siç janë duke humbur që nga viti 1999 vazhdimisht. Partitë e Kosovës si LDK, PDK, AAK, ORA, nuk është se po e risin numrin e votuesve, përkundrazi, çdo vit e më shumë janë duke e pakuar numrin e votave që fitojnë. Ky fenomen i humbjes së votës, i humbjes së terenit, i shkakton partive dhe sidomos liderëve egomanë strese dhe presione shtesë. Një mësim i nxjerrë është se, ky stres dhe ky presion i kombinuar me egot personale e politike të liderëve, në rast mungese të sensit racional dhe vlerësimit të situatës, mund t’i çojë këta liderë e këto parti në vetëvrasje politike. Këtu e ka burimin, në këte shkak-pasojë, interesimi dhe praktikimi i “Game Theory”. Kjo ka shkaktuar këte perendim masiv t’egove. Këte eklipsim të vanitetit politik kosovar. Dhe, kjo përbën definitivisht – një lajm të mirë.
Kombinatorika e Egomanëve të Dikurshëm
Koalicioni Komunal i Gjilanit, muaj më parë, po aq sa ishte lojë ishte edhe test për trendin e afrimit mes lidershipit PDK-LDK, që provon këte racionalizëm e kombinatorikë politike. Një diçka e tillë sigurisht se nuk do ishte bërë pa pëlqimin e heshtur të zotit Sejdiu dhe zotit Thaçi. Jo moti, vetëm para një kohe, një koalicion i këtillë LDK-PDK do ishte krejtësisht i paimagjinueshëm.
Hapja e PDKs ndaj partive që i quajnë “të vocrra”, po ashtu nuk është se po bëhet nga gjentileca e zemërgjerësia e liderit Thaçi, po nga një matematikë e thjeshtë e cytur nga nevoja e ndërsjelltë për pushtet. Ishte “Game Theory” ajo që i bëri të fotografohen e të nënshkruajnë bashkë dokumentet, Hashim Thaçi, Edita Tahiri, Gjergj Dedaj, Kaçusha Jashari, Emrush Xhemajli .
Nga megalomania e egoja nuk ishin të vaksinuara as femrat e politikës kosovare. Vlen ta kujtojmë Luljeta Pulën, e sidomos Edita Tahirin, e cila ishte e bindur se egoja e saj mjafton sa për të hyrë n’parlament. Ai fiasko politik që pësoi me zgjedhjet paraprake i dha dimensionin e vërtetë të hapësirës politike ku veron, dhe në fakt e ndihmoi që ta gjejë daljen prej saj përmes koalicionit me PDK. Në këtë mes nuk duhet futë zonjën Kaçusha Jashari, por ata që po ashtu nuk ishin të vaksinuar nga egomania dhe megalomania ishin edhe liderët e partive të vocrra, si Bujar Bukoshi, Gjergj Dedaj, Emrush Xhemajli…
Jo vetëm pragu i poshtëm prej 5%, por edhe pragu i epërm prej së paku 30%, determinon politikën partiake kosovare
Jo vetëm pragu formal zgjedhor prej 5%, por edhe pragu i epërm që është krejt praktik, si rrjedhojë logjike e matematike e mundësisë së vogël që një parti të kalojë mbi 30%, i vendosë partitë politike, pra edhe liderët e tyre, shumë afër njëri tjetrit dhe pashmangshmërisht i çon drejt koalicioneve para dhe pas-zgjedhore. Në këtë teren të brishtë zgjedhor, secili që mund të sjellë një grusht vota, pavarësisht nga cili krah vjen, mund të jetë partner kredibël politik.
Dallimi mes partive kështu provohet se është vetëm kozmetik dhe i referohet nevojës gjoja për 'imixh' politik, diçka që është inekzistente në Kosovë. Sepse numri i votuesve të interesuar për të dalë në zgjedhje, ka dëshmuar të jetë më i vogël nga zgjedhjet në zgjedhje dhe s'ka përse të mos jetë i vogël edhe kësaj radhe.
Numri i vogël i votuesve dhe votat që pakohen çdo vit e më shumë dëshmojnë se partitë politike në Kosovë në përgjithësi janë në krizë besimi, diçka që mbyllë diskurset komode për outlook’un e tyre në publik.
by Gazetajava.com